Bojkoti i serbëve të zgjidhet pa krijuar tensione në terren

Posted on
Fotoja e aktivitetit: KOMUNIKATË PËR MEDIA Prishtinë, 24 nëntor 2014 Bojkoti i pjesshëm i institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve në Kosovë është i zgjidhshëm, por duhet vullnet dhe përgjegjësi të plotë. Zgjidhja duhet të jetë në kontekst evropian, ndërsa potenciali i tensioneve të sigurisë për këtë shkak nuk duhet injoruar, megjithëse aktualisht nuk është shumë i lartë. Kështu është konstatuar në tryezën e mbajtur sot në Prishtinë, me titull: “Bojkoti i komunitetit serb: dialog apo tensione?”. Tryeza është organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë. Panelistë në këtë tryezë kanë qenë: Sasha Rashiq, ish-ministër i kthimit, Nexhmedin Spahiu, analist politik, Avni Mazreku, analist politik, dhe Rifat Marmullaku, ekspert i çështjeve të sigurisë. Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv i SPRC-së, ka thënë se bojkoti i serbëve të Kosovës deri më tash ka ndodhur tri herë: pas marsit 2004, pas shkurtit 2008 dhe që nga tetori 2016. Ramadani ka thënë se tensionet nuk duhet injoruar, sikurse që rruga politike për zgjidhjen e çështjes aë bojkotit duhet të jetë fokusi kryesor. Sasha Rashiq, ish-ministër i Kthimit, ka thënë se çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe as nuk duhet të jetë kushtëzim dhe as të bllokohet. “Nuk është bojkot i plotë. Është shumë e rëndësishme që përfaqësuesit politik serb të kthehen në institucione qendrore”, tha Rashiq. Më tutje, Rashiq tha: “Ndoshta ekziston dëshira që Asociacioni të bëhet diçka si Republika Serbe, por janë vetëm dëshira”. Nexhmedin Spahiu, ndër të tjera, tha se shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësitë e plota për jetën në Kosovë. “Do të këshilloja serbët e Kosovës që saherë të bëjnë marrëveshje me forcat politike shqiptare në Kosovës le t’i bëjnë ato të hapura dhe publike”, tha Spahiu. Ndërsa, Avni Mazreku, udhëheqës i Kolegjit ISPE, tha se konteksti i zgjidhjes së problemeve politike në Kosovë dhe Ballkan duhet të jetë kontekst evropian. “Strategjia e BE-së për zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë shumë efektive dhe duhet të rikonsiderohet”, tha Mazreku. Eksperti i çështjeve të sigurisë, Rifat Marmullaku, theksoi se veriu i Kosovës mbetet në gjendje të paqëndrueshme të sigurisë. “Adresimi i dimensionit të sigurisë kërkon qasje kolektive dhe partneriteti dhe nuk mund të paramdnohet që gama e gjerë e problemeve të sigurisë të adresohet vetëm nga agjencionet e zbatimit të ligjit, respektivisht të Policisë së Kosovës”, tha ai. Sipas Marmullakut, “nuk duhet lejuar rikthimi i barrikadave dhe bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës”. Ndërsa, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, tha duhet të harmonizohen qëndrimet e të dyja palëve, në mënyrë që të ketë legjitimitet politik. Përfaqësuesi i komunitetit malazias në Kosovë, Boban Vujiqiq, tha ndër të tjera se popullata serbe në Kosovë nuk është drejt e informuar për zhvillimet politike dhe ka mungesë të transparencës për marrëveshjet e arritura.