Ekstremizmi i dhunshëm parandalohet në komunitet

Posted on

 

Themelohet Rrjeti i shoqërisë civile kundër ekstremzimit të dhunshëm. SPRC dhe 10 organizata nga Peja, Gjilani, Mitrovica, Ferizaj dhe Kaçaniku vendosin për aktivitete të përbashkëta.

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është angazhim i përbashkët i institucioneve qendrore, lokale, shoqërisë civile dhe komuniteteve. Për këtë, Kosova ka mbështjetjen e plotë të partnerëve strategjik,   në theks të posaçëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu u tha në Konferencën “Angazhimi i shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, të organizuar në Prishtinë nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie ka theksuar se familja, shoqëria dhe prijësit fetarë janë ata që kanë rolin kryesor për luftimin e ekstremizmit fetar. Ai tha se është krenar për partneritetin e fuqishëm në mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, në luftën kundër ekstremizmit.

“Sa i përket çështjes së luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, kemi nevoja thelbësore për të zhvilluar mënyra të përshtatshme dhe efektive për ta luftuar terrorizmin. Ambasada amerikane i ka mbështetur fuqimisht institucionet kosovare në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Tani është thelbësore që prijësit fetarë t’i marrin frerët në duar, dhe t’i zbatojnë politikat qeveritare për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm”, tha Delawie.

Në Konferencë, para rreth 160 pjesëmarrësve kanë diskutuar edhe z. Skënder Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme, znj. Dhurata Hoxha, Ministre e Drejtësisë, z. Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Sabri Bajgora, Bashkësia Islame e Kosovës, z. Don Mikel Sopi, Ipeshkvia e Kosovës, z. Xhabir Hamiti, Profesor i Studimeve Islame, znj. Besa Kabashi-Ramaj, ZKM/Koordinatore Nacionale, dhe z. Rifat Marmullaku, ekspert i çështjeve të sigurisë. 

Konferenca ka vënë në theks të veçantë rëndësinë e iniciativave lokale, sipas specifikave lokale, por gjithsesi të oruinetuara tek puna dhe angazhimi në komunitet.

Ndërkaq, në sesionin përmbyllës të konferencës, kanë diskutuar edhe përfaqësuesit e 10 organizatave jo-qeveritare nga komunat Pejë, Gjolan, Mitrovicë, Ferizaj dhe Kaçanik, pjesë e Rrjetit.

Përkatësisht, Vlora Gaxherri nga Syri i Vizionit, Pejë, Arianit Lukaj nga KVRL Pejë, Hasime Tahiri nga Mundësia, Mitrovicë, Shqipe Qarkaj-Kadriu nga Me Dorë Në Zemër, Mitrovicë, Albion Sherifi nga Nisma për Aktivizim, Ferizaj, Kenan Gashi nga AVONET, Ferizaj, Djellza Ademi nga AGROEKO, Gjilan, Drilona Hajdari nga APONIA, Gjilan, Kjani Sallahu nga FOJK, Kaçanik, dhe Ardijana Tusha nga KVRL Kaçanik.

Konferenca është organizuar pas aktiviteteve të trajnimit që janë mbajtur në Pejë, Mitrovicë Jugore, Gjilan, Ferizaj dhe Kaçanik. Në konferencë kanë marrë pjesë të gjithë pjesëmarrësit e komunave të zgjedhura, të cilët janë të trajnuar në bazë të Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmin që shpie në Terrorizëm 2015-2020, dhe Planin e saj të Veprimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *