Kosova të ndërtojë kapacitete institucionale për përballje me ndikimin rus

Posted on
Prishtinë, 21 korrik 2017 – Kosova ka nevojë të ndërtimit të ekpertizës dhe kapaciteteve institucionale dhe shoqërore për të kuptuar dhe për t’u përballur me ndikimit rus në vend dhe në rajon. Lufta propaganduese dhe shtrembërimi i të vërtetës për Kosovës është një synim agresiv i Rusisë në raport me Kosovën dhe vendet që ndihmojnë Kosovën. Kështu u konstatua sot në Tryezën e rrumbullakët: “Ndikimi rus në Ballkan: një shqetësim në rritje për Kosovën”, e organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC në mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung – FES në Kosovë.

Burim Ramadani, Drejtor Ekzekutiv i SPRC-së theksoi se Raporti i fundit i nxjerrë nga SPRC me këtë temë është një nismë bazike për ngritjen e vetëdijësimit institucional dhe shoqëror për ndikimin rus në Ballkan dhe pasojat e saj në Kosovë.

Në punimin e SPRC-së ndër të tjera theksohet se duke marrë parasysh kontekstin e zhvillimeve të sipërpërmendura, veprimet konkrete të ndërlidhura sidomos me “Qendrën Humanitare në Nish”, tentim-grushtshtetin në Mal të Zi, luftën informative propagandistike ndaj Kosovës dhe të vërtetës së Kosovës, qartësisht mund të konkludohet se Federata Ruse synon të përhap konfuzion të plotë nëpër botë rreth Kosovës. Kjo mund të qartësohet edhe me analizimin e objektivave kryesore të Konceptit të Politikës së Jashtme të Rusisë, e cila precizon dimensionin e ‘fuqisë së butë’ si një strategji për të arritur synimet edhe në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë kontekst, edhe në raport me Kosovën.
“Elementet kryesore të kësaj lufte propaganduese të Federatës Ruse në raport me Kosovën duket se mund të përmblidhen në të paktën këto: 1) Shtrembërimi i të vërtetës së Kosovës nga jashtë dhe në raport me shtetet tjera, 2) Paraqitja e Kosovës si “territor i pushtuar nga SHBA dhe NATO”, 3) Forcimi i mekanizmave, përveç tjerash, edhe Satelitorë në fqinjësi (në Serbi), 4) Konfuzioni për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës dhe për “domosdoshmërinë” e gjetjes së statusit tjetër juridik të Kosovës, 5) Synimi për të portretizuar Kosovën si “enklavë kriminale”, sikurse edhe 6) Akuzimi i vazhdueshëm dhe agresiv për “marrëveshjen e fshehur SHBA-BE për radikalizimin politik të autoriteteve të Kosovës”, tha Ramadani.

Panelistë tjerë në këtë Tryezë ishin Lulzim Peci, KIPRED, Besa Kabashi-Ramaj, QHDP, profesor Arben Qirezi dhe Krenar Shala, studiues.
Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, theksoi se Rusia vazhdon politikat e njëjta ndaj Kosovës që nga viti 1999, porse tash ka shtuar mekanizmat dhe metodat që përdorë për të arritur qëllimet e veta. “Ndikimi rus në Kosovë kryesisht realizohet përmes prezencës së saj diplomatike, prezencës në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, përkrahjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, prezencës së saj në veri të Kosovës, përkrahjen e OJQ-ve proruse, ndërsa ndikimin më të madh në rajon vazhdon ta ketë në Serbi”, tha Peci. Sipas tij, mosuniteti i BE-së dhe NATO-s është dhurata më e madhe që Perëndimi i ka dhënë Rusisë për të rritur ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Besa Kabashi-Ramaj, drejtoreshë e QHDP-së, tha se ndarjet shoqërore në Kosovë mund të ndihmojnë në përhapjen e ndikimit rus brenda Kosovës. “Konceptet e sigurisë kanë evoluar nga ato konvencionale në ato të sigurisë shoqërore dhe në këtë kontekts ndarjet shoqërore në Kosovë mund të përdoren nga agjendat e caktuara politike ruse për të ndikuar në destabilizim shoqëror në Kosovë. Rusia nuk ka nevojë të investimit në luftëra konvencionale, më efektive është identifikimi i ndarjeve shoqërore dhe financimi në zmadhimin e tyre me qëllim të dobësimit të shteteve perëndimore, dhe kjo është pikërisht ajo çka është duke ndodhur”, tha Kabashi-Ramaj.

Sipas profesor Arben Qirezit, ndikimi rus është i fokusuar në Mitrovicën Veriore dhe se Ballkani Perëndimor është vendi më i lehtë për destabilizim përmes ndikimeve të jashtme. “Ballkani Perëndimor është pikë neuralgjike e Evropës. Qëllimi i Rusisë është ringjallja e Luftës së Ftohtë dhe vendosja e kufirit mes Perëndimit dhe Rusisë sa më larg nga kufinjtë shtetërorë rus”, tha ai. Sipas Qirezit, në raport me Kosovën, Rusia synon të komprementojë projektin e shtetësisë së Kosovës, duke ideuar kështu komprementimin e Perëndimit dhe në rend të parë të SHBA-së.

Në përgjithësi, rekomandim i analizës së SPRC-së lidhet me nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse institucionale dhe të shoqërisë kosovare me qëllim të përballjes me luftën propagandistike të Rusisë kundër Kosovës, që është e domosdoshme dhe kërkon qartësim strategjik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *