U mbajt Ekspozita në Gjilan: Përmes pikturave kundër ekstremizmit të dhunshëm

Posted on
Nxënësit dhe artistët e rinj në Gjilan, zhvilluan sot aktivitetin kulturor për të shprehur angazhimin dhe vullnetin e tyre rinor kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Aktiviteti u organizua nga Qendra Psikologjike APONIA, partner implementues i aktiviteteve me Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC. Në këtë iniciativë morri pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv i SPRC-së, Burim Ramadani i cili theksoi: “Mesazhi që del nga ju të rinjtë, nxënës e artistë të Gjilanit, është mesazh i vullnetit të palëkundur për të parandaluar dukuritë negative. Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm marrin përgjigje të saktë përmes aktivitetit tuaj. Ju shprehni pasionin tuaj kulturor, duke vënë në sipërfaqe mesazhin që të rinjtë duhet të zhvillojnë aftësitë e veta, jo të viktimizohen nga ideologji të ndryshme”. Mesazhet e bashkëjetesës, tolerancës dhe punës së përbashkët në parandalimin e dukurive të këqija jepen më së miri në komunitet, nga të rinjtë, me iniciativa lokale. Të gjithë mund të kontribuojmë në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Qasja e butë, mesazhet pozitive e promovuese, aktivitetet kulturore e rinore paraqesin një prej shtyllave bazë në këtë synim të përbashkët. Drejtoresha e Qendrës APONIA, Vjollca Zymberi, tha se aktivitetet e këtilla janë mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e cfarëdo ideologjie ekstremiste. Ndërsa, Koordinatori i Mekanizmit Referues, Fadil Kajtazi, theksoi angazhimin e këtij Mekanizmi dhe të institucioneve lokale në Komunën e Gjilanit në ngritjen e bashkëpunimit midis të rinjve, nxënësve, familjeve dhe komunitetit për të arritur qëllimet e përbashkëta të tolerancës dhe jetës më të mirë. Aktivitetet e këtilla zbatohen nga SPRC dhe RRJETI i Organizatave Partnere, në kuadër të projektit “Promovimi i Angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, që mbështetet nga USAID/ATRC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *