U mbajt Tryeza “Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në?”

Posted on
Institucionet të bashkërendojnë aktivitetet për transformimin e FSK-së
    Roli i Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve individualisht është i rëndësishëm në komunikimin e drejtpëdrejt me përfaqësuesit politik të serbëve kosovarë dhe me komunitetin serb anëkënd Kosovës, duke pasur parasysh po ashtu se roli i faktorit ndërkombëtar është domethënës.
Për procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës duhet vazhduar me përpjekjet e të gjitha institucioneve në mënyrë të përbashkët, bashkërendimi i aktiviteteve deri në detaje, angazhimi i përbashkët me faktorin ndërkombëtar, si dhe shtjerrja e mundësive në komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin serb në Kosovë.
Po ashtu, promovimi i tregimeve të suksesshme të pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb në Kosovë është një prej mënyrave të rëndësishme për të garantuar komunitetin serb në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtar për rëndësinë e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Këto konkluzione kanë dalë nga Tryeza e sotme me titull: “Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në?”, e organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC, Friedrich Ebert Stiftung – FES dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.
Në këtë Tryezë kanë marrë pjesë Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, deputetë tjerë të kuvendit të Kosovës, Zëvëndës-ministri i FSK, Muhamet Latifi, përfaqësues të lartë të FSK-së, këshilltarë të presidentit të Kosovës, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të misioneve diplomatike.
Gjatë Tryezës u theksua se mënyra më e mirë e transformimit të FSK-së është përmes ndryshimeve kushtetuese dhe për këtë qëllim duhet bashkërenduar aktivitetet me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të binden përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë që të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

SPRC, Prishtinë 14 prill 2017
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *